Regjistrimi i kosovarëve (26 Prill 1999)


Regjistrimi i kosovarëve (26 Prill 1999)

15:06 26/04/1999

Prej mëse dy javësh hyrja e Rezidencës së Zyrtarit të Komisariatit të Lartë të Refugjatëve në Tiranë është e populluar nga të ardhurit nga Kosova, që presin të regjistrohen, të marrin ndihma apo çdolloj udhëzimi tjetër. Kosovarët kanë nga dy karta, njëra lëshohet nga Pushteti Lokal i rrethit ku janë sistemuar dhe tjetra lëshohet nga Zyra e Refugjatëve, kartë e cila shërben si pasaportë për jashtë.

Pas marrjes së kësaj kartë personat paraqiten në dyert e UNHCR-së për t’u regjistruar. Kosovari: Qysh para ca ditësh e kam marrë kartën e refugjatit. Unë punoj momentalisht në Gjermani por isha i interesuar për familjen t’i tërheq. Po kërkohet nga Ambasada Gjermane një vërtetim që këta persona janë si refugjatë në Shqipëri. Para UNHCR-së kam një javë që pres por nuk po e marr se s’po mundem me hy brenda me kontaktu. Vetëm këtu tek dera me listë t’u prit nuk kam marrë kontakt me ta

Sipas Zëdhënëses së Komisariatit të Lartë për Refugjatët, Arian Kantje, procedura zyrtare e Regjistrimit në bashkëpunim me autoritetet shqiptare fillon javën e ardhshme. Deri tani, shpjegon ajo jemi marrë me raste të veçanta, të shumta kanë qënë kërkesat për bashkime familjare dhe po operohet pikërisht për lehtësimin e formaliteteve.

Por kjo ndodh vetëm në raste të jashtëzakonshme. UNHCR-ja përpiqet thotë Kantje, të realizojë më pas procedurat konsullore përmes autoriteteve të vendeve pritëse ku ndodhet pjesa tjetër e familjes kosovare për marrjen e vizës hyrëse në këto vende. Por nga java e ardhshme do të fillojë pajisja e refugjatëve me kartë identiteti e vlefshme kjo si një pasaportë nënshtetësie./tvklan.al

Gazetare: Eni Vasili






Të ngjashme