Regjistrohen edhe 6 tërmete të tjera në orët e para të ditës së sotme


Regjistrohen edhe 6 tërmete të tjera në orët e para të ditës së sotme

11:15 05/07/2018

Vijojnë lëkundjet e tokës pas tërmetit të fuqishëm me intensitet 6 ballë dhe magnitudë 5.1 e shkallës Rihter që goditi vendin tonë paraditen e djeshme. Sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, që nga mesnata e mbrëmshme e deri më tani janë regjistruar edhe gjashtë tërmete të tjera që kanë goditur vendin tonë.

Epiqendra e tyre vijon të jetë zona bregdetare e Adriatikut pranë Gjirit të Lalëzit, si dhe disa fshatra në zonën e Fushë-Krujës.

Lëkundja më e fortë tokës gjatë orëve të fundit ndodhi rreth orës 02:10 të ditës së sotme, kur është regjistruar një tërmet me magnitudë 3.9 ballë dhe epiqendër fshatin Shetaj pranë Kepit të Rodonit.

Ndërsa lëkundja më e lehtë sot është regjistruar ajo me magnitudë 2.3 ballë dhe epiqendër 3 kilometra në jugperëndim të Thumanës në Fushë-Krujë.

Në pothuajse 24 orët e fundit që kur u regjistrua tërmeti i parë i fortë me intensitet 6 ballë, Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka publikuar në faqen e tij në internet rreth 20 post tërmete më të vogla, ndërkohë që goditjet e tjera të tokës më të vogla përllogariten të kenë ndodhur edhe disa dhjetëra të tjera. /abcnews.al






Të ngjashme