Regjistrohet vepra penale për përgjimin Biba-Bianku


Regjistrohet vepra penale për përgjimin Biba-Bianku

15:46 29/08/2018

Prokuroria e Tiranës ka regjistruar zyrtarisht veprën penale “ushtrim ndikimi ndaj personave që mbajnë funksione publike”, për audio përgjimin e bisedës mes nënkryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Denar Biba dhe gjyqtarit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, Ledi Bianku.

Organi i hetimit ka nisur paraditen e të mërkurës verifikimin për këtë çëshje.

Burime zyrtare nga Prokuroria e kryeqytetit konfirmojnë për Tv Klan se drejt portalit që publikoi bisedën është dërguar një shkresë ku kërkohet vënia në dispozicion e materialit të plotë.

Pas kësaj audio do t’i nënshtrohet një ekspertimi për saktësuar nëse është origjinali apo  ka pasur ndërhyrje.

Pasi të kryhen këto veprime hetimore Prokuroria do të vendosë nëse do të  thërrasë për t’i marrë në pyetje dy personat që dëgjohen në audio-përgjim apo edhe emrat e atyre që përmenden aty.

Nëse nga verifikimi prokurorët do të arrijnë në përfundimin se është kryer vepra penale e ushtrimit të ndikimit ndaj personave që mbajnë funksione publike apo ndonjë vepër tjetër, atëherë do të nisë një hetim penal.

Opozita i kërkoi Prokurorisë të hetojë edhe për korrupsion Denar Bibën dhe Sekretarin e Përgjithshëm të kryeministrisë, Engjell Agacin, për shantazh ndaj gjyqtarit Bianku.

Sipas Lulzim Bashës, Biba e ka shantazhuar gjyqtarin duke i kërkuar që të mbështesë qeverinë në kërkesën e saj drejtuar Gjykatës së Strasburgut për të shtyrë ekzekutimin e vendimeve të kësaj gjykate të çështjeve të kthimit dhe kompensimit të pronave derisa të miratohej një ligj tjetër.

 

Tv Klan






Të ngjashme