Rehovica: LSI, thikë pas shpine për mandatin tim
“Partia që krijoi Meta, po degradohet nga arroganca”
Ish-deputeti i LSI-së Gledion Rehovica u është përgjigjur ashpër akuzave të kryetares së kësaj force politike Monika Kryemadhi pas vendimit të tij për t’ju bashkuar Partisë Socialiste.
Ai thotë se nuk ka kryer asgjë të paligjshme në Shqipëri apo Itali dhe se çështja ndaj tij është pushuar nga gjykata, por procesin e sheh të nxitur nga ish-partia e tij.
“Gjithë ai proces sipas informacioneve të mia ka qenë një thikë pas shpine e iniciuar dhe dirigjuar nga ish-partia ime për të mbajtur nën presion të gjithë deputetët e LSI”.
Rehovica sqaron edhe një herë pse u largua nga LSI.
“Nga LSI jam larguar sepse LSI s’është më ajo parti që ka qenë, nuk është më partia që krijoi ilir Meta. Ka filluar degradimin që kur filloi arroganca, pabesia, mosmirënjohja. Mbi të gjitha për mua LSI-në e ka shkatërruar paranoja. LSI-në e ka shkatërruar paranoja por duke qënë se paranoja për mua klasifikohet si sëmundje dhe njerëzit nuk e kontrollojnë dot, nuk kemi pse i vëmë gishtin apo fajin njeriu”.
Madje thotë se edhe zyrtarë të tjerë të kësaj partie janë kontaktuar nga trupi diplomatik.
“Sa për dijeni unë kam informacion se të gjithë zyrtarët e lartë të strukturave të LSI janë kontaktuar nga trupat diplomatike për t’i paralajmëruar që të distancohen nga Kryemadhi”.
Rehovica thotë se misioni i opozitës dështoi me djegien e mandateve dhe mosgarimin në zgjedhje.
“Arritja më e madhe e saj në drejtim të LSI është vetëm çizmja ndaj Ramës”.
Tv Klan