Rekomandim me kusht hapjen e negociatave, KE publikon në 9 Nëntor progres – raportin
Progres – raporti i Komisoni Europian për vendet e Ballkanit dhe Turqinë do të bëhet publik në 9 Nëntor. Televizioni Klan ka mësuar se KE pritet të japë një rekomandim të kushtëzuar për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Rekomandimi i ekzekutivit europian vjen si sinjal pozitiv për aprovimin unanim të Refomës në Drejtësi, por ai është i kushtëzuar sepse Shqipëria duhet të vijojë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe jo vetëm.
Edhe pse Komisioni Europian nuk ka saktësuar kushtet, pasi ato mund të ndryshojnë deri në fund të Tetorit, mësohet se në këto kushte përfshihet ngritja e institucioneve të reja, që vijnë si domosdoshmëri pas ndryshimeve kushtetuese të 21 Korrikut, vijimi i zbatimit të Refomës në Drejtësi, si dhe rezultate konkrete të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Rekomandimi i kushtëzuar vështirëson hapjen e negociatave të anëtarësimit nga shtetet anëtare të BE-së, të cilat kanë treguar që janë skeptike edhe në raste kur Komisioni jep një rekomandim pozitiv të pakushtëzuar për hapjen e negociatave të anëtarësimit për një vend të zgjerimit.
Tv Klan