Rekord i ri viktimash prej COVID-19 në Gjermani
Ndalohen udhëtimet për festat e fundvitit në Itali
Gjermania shënoi këtë 24-orësh rekordin e ri prej 487 viktimash. Bëhet fjalë për shifrën më të lartë të të gjithë periudhës së pandemisë. Megjithatë shifrat e infektimeve ditore janë më të ulëta krahasuar me të Mërkurën e javës së kaluar, kur i shënuan mbi 18 mijë raste të reja.
Ekspertët i lidhin shifrat e larta të viktimave me rekordet e infektimeve ditore që u shënuan në mes të Nëntorit, kur u shënuan rekorde ditore me rreth 24 mijë raste. Numri i shtrimeve në spitale është rritur ndjeshëm javët e fundit edhe pse deri tani të zëna janë vetëm ¼-a e shtretërve.
Shifrat e viktimave në Itali në 24-orëshin e fundit ishin të larta, ndërsa infektimet vijojnë tendencën rënëse. Bazuar në këto shifra, qeveria planifikon që brenda 15 ditëve asnjë rajon të mos jetë më në listën e kuqe të infektimeve. Por për të frenuar një tjetër rritje të shifrave parashikohet ndalimi i lëvizjes jashtë qyteteve prej 21 Dhjetori deri pas festës së Vitit të Ri.
Teksa shifrat e infektimeve po bien, ndërsa vdekjet janë ende të larta, qeveria greke pritet të shpallë të premten planin e ri të masave anti-COVID. Mediat nuk përjashtojnë mundësinë e zgjatjes së karantinës përtej 7 Dhjetorit.
Tv Klan