Rriten infektimet, 257 raste të reja
5 të vdekur dhe 21 pacientë në terapi intensive
Përkeqësohet situata e pandemisë në vend me një tjetër rekord infektimesh sipas të dhënave ditore. 257 janë rastet e reja të konfirmuara pozitive në 24 orët e fundit nga autoritetet shëndetësore të cilët kanë kryer 1398 testime. Kjo është shifra mëe lartë e të prekurve në një ditë që nga nisja e pandemisë me vatrën kryesore që mbetet në Tiranë.
Harta e përhapjes së koronavirus ka një shtrirje pothuajse në të gjithë vendin, por bashkë me kryeqytetin, Fieri dhe Durrësi kanë shënuar rritjen e numrit më të lartë të të prekurve.
Në shifra të larta mbeten edhe rastet fatale. 5 qytetarë nuk mundën ta fitonin betejën me covid-19, duke e çuar në 439 në total numrin e jetëve të humbura që nga fillimi i pandemisë.
Situata paraqitet problematike edhe në spitalet Covid. Autoritetet shëndetësore raportojnë për 249 pacientë që po trajtohen në dy spitalet Covid, 21 qytetarë janë në terapi intensive, nga të cilët 5 të intubuar.
Mes rasteve të reja të evidentuara në Tiranë janë edhe 5 mësues dhe 2 punonjës sanitar të shkollës “Emin Duraku”, në kryeqytet. Burime të Televizionit klan bëjnë të ditur se pasi këta 7 punonjës dolën pozitivë, të gjithë mësuesit dhe stafi mbështetës i është nënshtruar testit për Covid-19 dhe janë në pritje të përgjigjeve.
Por lajmi i mirë për autoritetet shëndetësore janë edhe 102 qytetarë që ia dolën mbanë në betejën me Covid-19, duke e çuar në 9864 numrin e të shëruarve në vend që prej fillimit të epidemisë.
Tv Klan