Rekord infektimesh të reja në botë
Më e goditur Franca. Sërish protesta kundër masave
Infektimet e Covid-19 vijojnë të shënojnë rekorde të njëpasnjëshme. Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi të shtunën 581 679 raste të reja në të gjithë botën, mbi 24 000 infektime më shumë se rekordi i regjistruar më 31 Tetor.
Në Francë, autoritetet flasin për një situatë që vjen duke u rënduar me shifra alarmante. Në 24 orët e fundit, aty u regjistruan mbi 60 mijë raste me koronavirus, duke thyer sërish rekord për sa i përket rasteve ditore.
I lartë është edhe numri i viktimave ku në një ditë humbën jetën 828 qytetarë, duke e çuar numrin në 40 mijë që nga fillimi pandemisë. Por teksa shifrat vazhdojnë të rriten dhe masat shtrënguese bëhen të detyrueshme, në disa prej qyteteve më të mëdha të Europës vijojnë protestat.
Më problematike situata ka qënë në Leipzig të Gjermanisë, ku u mblodhën më shumë se 20 mijë persona. Edhe në Romë, pas hyrjes në fuqi të masave të reja që përfshijnë ndalimin e qarkullimit prej orës 22:00 të mbrëmjes deri në 05:00 të mëngjesit vijojnë protestat.
Shumë prej qytetarëve që dolën në rrugë pas konfrontimeve me policinë kanë rënë në pranga.
Tv Klan