Rekord rastesh me koronavirus
Numri i rasteve të reja me koronavirus ka shënuar një rekord të ri të shtunën. Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se në 24 orët e fundit u regjistruan 260 mijë raste në të gjithë botën. Kjo është hera e parë që prej nisjes së pandemisë që numri i rasteve ditore kalon çerek milioni njerëz.
Shifrat më të frikshme vijnë nga SHBA-ja, Brazili, India dhe Afrika e Jugut. Edhe numri i viktimave ishte i lartë. 7360 persona humbën jetën 24 orët e fundit. Ky është numri më i lartë i humbjeve të jetës që prej 10 Majit. Numri total i rasteve të konfirmuara i kaloi 14 milionë njerëz të shtunën.
Ndërkohë vendet e Europës duket sikur po e mbajnë nën kontroll përhapjen e virusit. Megjithatë edhe në kontinentin e vjetër rihapja e kufijve dhe e bizneseve duket se po sjell raste të reja, duke shtuar frikën për një valë të dytë./tvklan.al