
Rëndësia e komunikimit prind-fëmijë rreth edukimit seksual (Video)
Tema e seksualitetit në adoleshencë është një argument shumë delikat, por tepër i rëndësishëm për vetë identitetin e të miturit.
Adoleshentët kanë nevojë të kenë informacionet e duhura mbi këtë temë, sepse në këtë periudhë eksplorojnë potencialin e tyre mashkullor apo femëror brenda rrethit shoqëror apo në marrëdhëniet me tjetrin.
Por a komunikojnë prindërit me fëmijët lidhur me këtë temë? Në një intervistë të realizuar nga emisioni “Rudina” në Tv Klan shumë të rinj deklarojnë se temat e seksit vijojnë të jenë tabu në familjet shqiptare.
Sipas statistikave ndërkombëtare, website-t pornografike shikohen më shpesh se Netflix, Amazon dhe Twitter të marra sëbashku. Shumë prej shikuesve të këtyre videove janë adoleshendë, një pjesë e të cilëve i përkasin moshës 9-11 vjeç.
Organizata botërore e shëndetit i bën thirrje prindërve e mësuesve të mos evitojnë argumentet e seksualitetit në moshën e adoleshencës.
Psikoseksologia Besarta Taçi gjatë emisionit tha se komunikimi mbi seksualitetin nuk duhet të presë moshën e adoleshencës, por duhet të fillojë më herët.
“Shpesh prindërit kanë ndjesinë e një lloj delegimi, meqë kudo flitet për seksualitetin sipas tyre do të jetë shkolla apo jeta që do t’i mësojë. Komunikimi mbi seksualitetin nuk duhet të presë moshën e adoleshencës. Seksualiteti është diçka më e gjërë që prek të gjitha aspektet e jetës. Një lloj komunikimi drejt respektit të trupit e drejt higjenës duhet të fillojë që në moshën 3-4 vjeçare. Është një moshë kur fëmijët, fillojnë bëjnë pyetje të tipit: Si vijmë ne në jetë apo pse mami me babin puthen në buzë?
Kur ndihmojmë fëmijën me higjenën e trupit, ai fëmijë ka nevojë edhe për një lloj gjuhe. Për identitetin seksual është e rëndësishme që fëmijët të marrin përgjigje nga të dy prindërit”,
tha psikologia.
/tvklan.al