Rëndohet trafiku, policia publikon akset më problematike në vend
Është ditë e diel dhe një pjesë e madhe e qytetarëve në vend sidhe një numër i konsiderueshëm pushuesish nga Kosova i janë drejtuar bregdetit për t’u freskuar.
Kjo ka sjellë trafik të rënduar në orët e mëngjesit dhe pasdites, kur ka nisur edhe kthimi nga plazhet.
Sipas Policisë Rrugore trafiku ka filluar të rëndohet në disa akse anekënd vendit që prej orës 17:00, kur ka nisur edhe kthimi për në qytete i pushuesve.
“Ka shumë lëvizje e ngarkesë tek Gjiri Lalzit. Po ashtu ka ngarkesë të kontrolluar në hyrje në Tiranë. Në Lezhë, Shkodër e Velipojë ka ngarkesë, por që po monitorohet nga Policia Rrugore”, bëhet me dije në njoftim për shtyp.
Ngakesë të madhe po merr edhe aksi Vlorë-Fier dhe aksi Fier- Tiranë.
Autoritetet thonë se të gjithë shërbimet janë në rrugë për të menaxhuar trafikun dhe ndihmuar lëvizjen pa bllokime të automjeteve.
Policia Rrugore kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve për të respektuar shpejtësinë, parakalimet e gabuara dhe sidomos shenjat e punonjësve të Policisë për një kthim të sigurt./tvklan.al