Replikat, Blushi-Ramës: Edhe referendumin e tretë do ta fitojë populli
Kanë vijuar në distancë replikat mes kryeministrit dhe zyrës së Presidencës. Këtë herë ka qenë zëdhënësi i presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi, i cili i është përgjigjur kreut të qeverisë, lidhur me diskutimin për ndryshimet kushtetuese.
“Pse kaq frikë nga populli? Në Shqipëri kanë ndodhur dy referendume dhe në të dyja herët ka fituar populli. Padyshim edhe referendumin e tretë do ta fitojë populli. Sepse në republikën e Shqipërisë, sovraniteti i përket popullit dhe vetëm atij. Mos kini frikë nga populli!”, shkruan ai.
Më herët Rama përmes një reagimi në Tëitter shkroi: Ilir Meta thotë ndryshimi i sistemit, heqja e koalicioneve, hapja e listave bëhen vetëm me referendum! Askund nuk bëhet referendum për këto çështje. Ndërsa këtu as sistemi s’do ndryshojë, as koalicionet s’do ndalohen, po listat do hapen nga Kuvendi i Shqipërisë me ligj, me zakon e me karton!
Sa për modelin lindor, modeli i koalicionit që kemi s’është as perëndimor, as jugor, as verior dhe prandaj nuk gjendet askund në lindje a në perëndirm! Modeli i ri do të jetë gjerman e plotësisht europian, koalicion tamam, me zë, figura e program, jo kosh karavidhesh pa din as iman! /tvklan.al