Reportazh, historia e boshnjakëve në Shqipëri – (13 Maj 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Erdhëm nga deti 126 vite më parë. Kështu e nisin rrëfimin e historisë së boshnjakëve të Shqipërisë, çdo njëri prej tyre. Ahmet Miçeviç, plaku më i vjetër i fshatit Borake është tani 92 vjeçar dhe tregon historinë që i kanë treguar të parët.
“Janë nisur nga Turqia, pastaj kanë dalë në Durrës, u kanë thënë ecni këtu se këtu ka tokë dhe pastaj kanë ardhur këtu dhe kanë zaptuar tokë”.
Kapriçoja e fatit ka ndodhur më 1875, me paraardhësit e këtyre njerëzve. Lufta i detyroi që të nisen drejt Turqisë, por pikërisht në Bisht Pallë, anija e tyre prishet dhe ata boshnjakët e hershëm panë tokat e Durrësit dhe u ngulën aty. Fillimisht ishin 6-7 familje, sot numërohen afro dhjetë mijë boshnjakë në të gjithë Shqipërinë.
Megjithëse vitet i kanë trazuar me shqiptarët, gjuhën e tyre nuk e kanë harruar. Zakonet i ruajnë si të parët e tyre. Nëpër dasma këndojnë boshnjakshe, e nëpër vaje qajnë po ashtu. Problemet janë njësoj si në çdo fshat shqiptar. Mungesa e ujit të pijshëm, rruga e pashtruar, por asnjëherë këto mungesa nuk u lidhën me nacionalitetin e tyre, ndoshta sepse ndihen mirë të jenë dhe shqiptar dhe boshnjak./tvklan.al
Gazetare – Mirela Milori