Reportazh: Kur zhvarroset historia


Reportazh: Kur zhvarroset historia

00:47 29/01/2018

Në fushën e varrezës së ushtarëve grekë në Dragot të Tepelenës, janë nxjerrë deri tani mbi 20 skelete ushtarësh, të cilët mësohet se janë identifikuar si grekë. Mediat mbahen larg operacionit, ndërsa banorët që kanë bashkëjetuar me këtë histori, tregojnë se në të njëjtën zonë ishin varrosur dhe italianët, që i tërhoqën ushtarët e tyre 60 vjet më parë.

Fusha e vogël e Sajmolës, poshtë malit Golik, mbart nën vete shumë histori dhe shumë eshtra të rënësh. Italianë dhe grekë, të dy si pushtues zhvilluan në këtë tokë disa beteja të përgjakshme, gjatë dimrit të 1940-1941.

 

Tashmë në Janar të 2018-s eshtrat po dalin mbi tokë…

Komisioni 2 palësh shqiptaro-grek, në bazë të marrëveshjes mes ministrive të Jashtme po gërmon prej 1 javë në nxjerrjen e eshtrave të grekëve të rënë rreth 80 vite më parë. Ata ishin varrosur në parcelën përbri italianëve, që në vitet ’60, në bazë të hartave shumë të sakta, identifikuan të rënët e tyre dhe i morën për t’i varrosur në atdhe. Grekët mbetën aty. Banorët nuk përjashtojnë mundësinë që targetat rreth 15 centimetërshe që u gjendët të vendosur tek skeletet me mbishkrimin ne latinisht “Greco” , t’u jenë vënë pikërisht nga italianët që mund t’i kenë varrosur.

Pas komunizmit, tokat pranë fshatit Dragot iu ndanë fshatarëve me ligj. Maliq Haxhiaj është pronar i stanit përballë fushës ku po gërmohet. Ai tregon se në vitet pasardhëse, kur parcela e italianëve punohej për t’u mbjellë, makineritë nxirrnin në sipërfaqe skeletë. Ndërsa pronari i parcelës ku ishin varrosur grekët nuk u njoh kurrë.

Në pronën e Maliqit ndodhet dhe monumenti për nder të regjimentit “I lupi di Toscana”, me të cilin italianët nderuan të rënët në këtë luftë të përgjakshme. I shkatërruar i tëri, gurët sipas Maliqit u përdorën nga banorët për ndërtimet e shtëpive.

Tek fusha e Sajmolës askush nuk pranon të flasë. Madje dhe kamerat nuk lejohet të xhirojnë përtej rrethimit, ku jo zyrtarisht flitet se janë gjetur 20 skeletë. Ata futen nëpër kuti të posaçme dhe vendosen në këto kontenierë. Puna nis në orën 08:00 të mëngjesit dhe përfundon në 16:00 kur perëndon dielli.

Për aq kohë sa financon dhe drejtojnë kërkimin, pala greke shpërndan dhe informacionin që faktikisht është i pakët për këtë ekspedite ku po gërmohet historia.

Klan Plus






Të ngjashme