Reshje të dendura shiu në Greqi, përmbyten disa zona
Greqia nuk gjen qetësi. Pas zjarreve që shkatërruan mijëra hektarë pyje, vendi po përballet me përmbytje. Mediat greke kanë publikuar dhe pamjet që tregojnë se në shumë zona reshjet e shiut kanë qenë shumë intensive dhe kanë shkaktuar përmbytje.
Nata e mbrëmshme ka qenë ndër më të këqijat për banorët e Evisë veriore, të cilët për orë të tëra kanë qenë të rrezikuar pasi prurjet ishin të shumta.
Siç mund ta shihni nga pamjet e publikuara nga Protothema, rruga nga Kotsikia në Loutro është shkatërruar.
Autoritetet që në orët e para të mëngjesit kanë nisur punën për pastrimin e mbetjeve që kanë lënë pas reshjet e shiut dhe për të hapur rrugët.
“Asnjë punë për mbrojtjen nga përmbytjet nuk u bë, kërkojmë ndihmë”, tha një banor. Ndërsa tregoi se si kishte përjetuar natën e kaluar. “Ne nuk fjetëm natën nga frika. Rrugët janë bllokuar, ka rrëshqitje toke dhe pemët kanë rënë”, shtoi ai.
Nga informacionet e deritanishme bëhet me dije se dhjetëra banesa janë përmbytur, por ende nuk ka nisur puna për të bërë bilancin e dëmeve.
Kujtojmë se gjatë muajve të verës shumë zona në Greqi u përfshinë nga flakët dhe pati dëme kolosale./tvklan.al