Restoranti shqiptar zgjidhet më i miri për vitin 2021
“Noma”, restoranti i shqiptarit nga Tetova, Rene Rexhepi, është zgjedhur restoranti më i mirë në botë për vitin 2021. Restoranti që ndodhet në Kopenhagen të Danimarkës u vlerësua me çmimin e parë në mesin e 50 restoranteve më të mira në botë.
Konkursi “50 restorantet më të mira në botë”, i cili u zhvillua në Antwerp, Belgjikë, nga data 3-5 Tetor, vlerësoi “Noman” për menunë e saj novatore dhe përdorimin e përbërësve të veçantë ushqimorë.
“Asnjë udhëtim në Noma nuk është kurrë i njëjtë, me Rene Rexhepin dhe ekipin e tij duke kërkuar vazhdimisht për përbërës të papritur dhe duke i kthyer ato në pjata të bukura”, thuhet në dedikimin e çmimit për fituesin.
Në intervistën e tij të parë pasi “Noma” mori çmimin e madh, Rene Rexhepi tregoi se sa i rëndësishëm ishte ky vlerësim për të dhe stafin e tij pas një sfide 18-mujore në këtë industri si pasojë e pandemisë.
“Është e mahnitshme, pa pasur nevojën të ndihet si një rekord i thyer”, tha Rexhepi. Ai shtoi se për shkak të COVID-19, ceremonia e marrjes së çmimit ishte e para prej një kohe të gjatë që gjendej në një grumbull aq të madh njerëzish.
Klan News