Revista amerikane: Si lobuan kompanitë ruse për PD–në
Një kompani ruse punësoi një ish–ndihmës të presidentit Trump për të lobuar për Partinë Demokratike shqiptare në Uashington. Por a e përdoren rusët në këtë mënyre sistemin politik amerikan për të nxitur trazira politike në Ballkan?
Këto të dhëna dhe dyshimet për përdorimin e Partisë Demokratike nga Kremlini i ngre revista amerikane, Mother Jones, në një investigim që mban firmën e tre gazetarëve të saj.
“Është një histori e komplikuar politike ndërkombëtare me një komplot marramendës: Një vit më parë, një firmë skoceze e quajtur Biniatta Trade, e cila u formua nga dy kompani me bazë në Belize, pagoi një lobist republikan dhe ish-ndihmësin e fushatës Trump me emrin Nick Muzin për të ndihmuar Partinë Demokratike të Shqipërisë. Në atë kohë po zhvilloheshin zgjedhjet parlamentare dhe PDSH po sfidonte qeverinë e drejtuar nga Partia Socialiste. Qeveria e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, i cili po e drejtonte Shqipërinë drejt Bashkimit Europian kishte ngritur shqetësimin për rritjen e influencës ruse në Ballkan. Rastësisht, ose jo, dy kompanitë e regjistruara në Belize, e që qëndronin pas Biniatta Trade ishin që të dyja të lidhura e të kontrolluara nga rusët. Përfundimi: Duket se subjekte te lidhura me Rusinë u përfshinë në mënyrë sekrete në Shtetet e Bashkuara në mënyrë që të ndërhynin në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri”.
Sipas revistës amerikane, kompania Biniata Trade pagoi një lobist republikan dhe Nick Muzin me 150 mijë dollarë për të ndihmuar Partinë Demokratike. Kjo pagesë, shkruhet me tej, është paguar para zgjedhjeve të 25 Qershorit.
Revista publikon edhe një skemë të lidhjes së kompanive ruse me zotin Muzin dhe Partinë Demokratike. Përfundimi i lobimit është një vizitë e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në Uashington para zgjedhjeve dhe një foto e tij me presidentin Donald Trump.
Muzin, shkruan revista, edhe pse pjesë e fushatës së Republikanëve dhe pjesë e ekipit të Trump për tranzicionin e pushtetit, nuk hyri në qeveri.
“Në vend të kësaj, me 31 Mars 2017 ai u regjistrua në departamentin e Drejtësisë si agjent i huaj. Klienti i tij: Partia Demokratike e Shqipërisë. Kontrata mes Muzin dhe Partisë, e firmosur me Lulzim Bashën, kryetarin e PD, kërkon nga lobisti që të promovojë Partinë Demokratike dhe të djathtën shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe në të përcaktohet se ai do të paguhet me 25 mijë dollarë për tre muaj, Mars, Prill dhe Maj”.
Partia Demokratike reagoi për këtë shkrim duke i mohuar të dhënat që ai paraqet.
“Makina e propagandës së Edi Ramës ka prodhuar dje një shkrim me pagesë në një media të majtë të dorës së dytë për të shpifur për financimin e Partisë Demokratike. Shkrimi është qesharak për nga përmbajtja dhe skandaloz për nga falsifikimi i fakteve dhe kapërcimet logjike”
, thuhet në reagimin e demokratëve.
Theksohet gjithashtu se ai është produkt i një fushate të gjerë që ka ndërmarrë Edi Rama, të financuar nga burime të paligjshme që vijnë nga bota e krimit dhe e korrupsionit që ka për qëllim të shkurajojë përpjekjet e opozitës dhe të çdo faktori tjetër kundër drogës dhe krimit. Partia Demokratike shprehet se ajo nuk ka thyer asnjë ligj shqiptar, amerikan apo të një ligji tjetër dhe nuk ka pasur asnjë lidhje direkte apo indirekte me individë apo kompani ruse.
Tv Klan