Revista prestigjioze e mjekësisë: Mos e votoni Trump
Revista kryesore e mjekësisë në botë New England Journal of Medicine, ka postuar një editorial më 8 Tetor, në të cilin ka nxjerrë dështimet e administratës Trump në menaxhimin e koronavirusit.
Artikulli që mban titullin “Duke vdekur në një vakum lidershipi”, u bënë thirrje amerikanëve të votojnë kundër administratës aktuale, në zgjedhjet e Nëntorit. Redaktorët shkruajnë se SHBA ka dështuar në provën thelbësore të lidershipit, e cila ishte menaxhimi i pandemisë. Ata në shkrim janë shprehur me fjalët se “madhësia e këtij dështimi është mahnitëse”.
Revista gjithashtu fajëson masat e bllokimit jo konsistente dhe tepër të vonuara, duke thënë se masat janë marrë “pasi sëmundja ishte përhapur në mënyrë të konsiderueshme në shumë komunitete” e po ashtu kritikon lehtësimin e kufizimeve “shumë kohë para se të ishte arritur kontrolli adekuat i sëmundjes“.
Revista mjekësore New England, është botuar për herë të parë në vitin 1812 dhe sipas ekspertit të sëmundjeve infektive Gary Richwald, konsiderohet si një ndër revistat më prestigjioze mjekësore shkencore në botë.
Duke folur për domethënien e këtij artikulli, Richwald vuri në dukje se revista kurrë më parë nuk kishte miratuar një kandidat për zgjedhje. Por, me anë të këtij publikimi ku njerëzve iu kërkohet të mos votojnë për kryesuesin aktual, ai tha se “në thelb revista ka dhënë miratim për kandidatin e ri”.
Sipas Qendrës për Shkencë dhe Inxhinieri nga Universitetin Johns Hopkins, numri i përgjithshëm i rasteve me COVID-19 në SHBA deri më tani ka tejkaluar shifrën 7.5 milionë të infektimeve dhe një shifër vdekjesh prej më shumë se 210 mijë./tvklan.al