Rezervat ujore të Shqipërisë dhe shfrytëzimi pa kriter i tyre (17 Dhjetor 2000)
Territori i Shqipërisë është i pasur me një sasi të konsiderueshme ujërash nëntokësore. Këto ujëra dalin në sipërfaqe me anë të shpimeve apo nëpërmjet burimeve karstike. Ujërat nëntokësore të Tiranës i klasifikojmë në tre lloje. Ujërat që dalin nga burimet karstrike në Malin me Gropa në vargmalin e Dajtit, ujëra tokësore që ndodhen në formacione ranore dhe që kanë sasi të vogëla në shpime si dhe ujëra nëntokëse që i përkasin depozitimeve të vjetra të lumenjve si zhavor, rërë e të tjerë, dhe këto ujëra ndodhen në gjithë qytetin e Tiranës deri në afërsi të Prezës.
Rezervat ujore të Tiranës llogariten me 1600 litër/ sekond dhe ato shfrytëzohen vetëm me shpime. Ibrahim Tafilaj, specialist pranë Drejtorisë së Përgjithshme Gjeologjik, thotë:
“Ujërat nëntokësore me ligj janë pasuri kombëtare. Aktualisht në Shqipëri shpohet në mënyrë të panktrolluar dhe të pamonitoruar nga privatë, individë të pa lincensuar nga Ministria e Punëve Publike pa kaluar nëpërmjet shërbimit gjeologjik i cili monitoron me ligj këto ujëra. Këto shpime mund të rrezikojnë ndotjen si dhe të ndikojë në pakësimin e rezervave të llogaritura për stacionet e pompimit dhe ujësjellësat ekzistues.”
Nga e gjithë sasia e 1600 litrave/sekond të ujërave që përmban nëntoka e Tiranës sot shfrytëzohen vetëm 800 litra/sekond ujë për pirje. Ndërkohë që rezervat ujore të Shqipërisë janë të llogaritura në 28 metërkub/sekond dhe shfrytëzohen rreth 30% e tyre./tvklan.al