Ridvan Bode në konferencë shtypi (30 Maj 2000)


Ridvan Bode në konferencë shtypi (30 Maj 2000)

14:40 30/05/2000

Pushtetarët socialistë do të përpiqen të krijojnë destabilizim në vend deri në zgjedhjet lokale. Kështu ka deklaruar sot Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Ridvan Bode i cili u shpreh se dhuna dhe terrori që ka nisur kundër demokratëve ka për qëllim manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme.

” Zhvillimi i fushatës elektorale në muajt që vijnë do të jetë një përpjekje e vazhdueshme për të mbajtur në stabël vendin, për të provokuar popullsinë, për të terrorizuar opinionin publik me synimin e vetëm se ata nuk kanë argument tjetër elektoral përpara zgjedhësve veç terrorizimit të mendimit opozitar në manipulimin e procesit zgjedhor. Ne i bëjmë thirrje qeverisë, shtetit të sotëm që të heqë dorë nga kjo strategji sepse përndryshe do të përballet me qëndresat e demokratëve dhe me reagimin e partive politike.”

Demokratët kanë protestuar përsëri për situatën e krijuar në Kurbin. Deputeti Pal Dajçi ka kërkuar largimin e shefit të Komisariatit të Laçit. Sipas Dajçit shefi i policisë i cili u mor peng disa javë më parë është njeri i papërgjegjshëm që e ka dërguar Partia Socialiste për destabilizim. Sipas drejtuesve të lartë të Partisë Demokratike kjo parti përkrah forcat e policisë për vendosjen e rendit por denoncon përdorimin e dhunës për motive politike./tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego






Të ngjashme