Rihapen kinematë
Pas një periudhe të gjatë, qeveria ka vendosur që kinematë të rihapen për publikun. Urdhri për hapjen e tyre është botuar këtë të mërkurë në Fletoren Zyrtare. Në të përcaktohet se “aktiviteti i kinemave të ofrohet në përputhje me protokollet e miratuara nga Instituti i Shëndetit Publik për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19″
“Në mbështetje të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të nenit 7, pika 4, të ligjit nr. 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, të udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga infeksioni i shkaktuar nga COVID-19, nenit 113, të ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, si dhe vendimit të Komitetit Teknik nr.4540, datë 9.10.2020, Urdhëroj:
Në urdhrin nr. 351, datë 29.5.2020 “Për marrjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e përhapjes së COVID-19”, të ndryshuar, bëhet ndryshimi si më poshtë vijon: 1. Në pikën 3, germa “b”, termi “kinematë”, shfuqizohet. 2. Aktiviteti i kinemave të ofrohet në përputhje me protokollet e miratuara nga Instituti i Shëndetit Publik për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare. MINISTËR I SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE, Ogerta Manastirliu”, thuhet në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare.
Po këtë të mërkurë, në Fletoren Zyrtare u botua edhe urdhri për maskat, që duke nisur nga dita e nesërme do të jetë e detyrueshme për t’u përdorur në çdo ambient.
“Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave VENDOSI: Neni 1 Pika 23, e nenit 3, të aktit normativ nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon: “23. Barriera mbrojtëse (maska) është e detyrueshme të përdoret jashtë shtëpisë nga çdo individ. Individët, të cilët përjashtohen nga ky rregull, përcaktohen në udhëzimin e Institutit të Shëndetit Publik.
Instituti i Shëndetit Publik nxjerr udhëzimin përkatës për mënyrën e përdorimit të barrierës mbrojtëse (maskës) jashtë shtëpisë. Mospërdorimi i barrierës mbrojtëse (maskës) nga individët jashtë shtëpisë dënohet me gjobë në masën 3 000 (tre mijë) lekë dhe, në rast përsëritjeje, në masën 5 000 (pesë mijë) lekë. Të drejtën e dhënies së masës administrative për mospërdorimin e barrierës mbrojtëse (maskës) e ka Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, sipas modelit të gjobës të miratuar prej tyre. Ekzekutimi i masës administrative do të kryhet nëpërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike,duke u bërë pjesë e faturave të energjisë elektrike. Mënyra e ekzekutimit të masës administrative nëpërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për energjinë, ministrit përgjegjës për financat dhe ministrit përgjegjës për shëndetësinë.”.Neni 2 Hyrja në fuqi. Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe i fillon efektet në datën 15.10.2020″./tvklan.al