Rikthehet Clinton: Më jepni mundësinë të jem presidentja juaj
Kandidatja demokrate për presidente, Hillary Clinton rifilloi fushatën pas disa ditësh ndërprerje për shkak pneumonisë, por rivali i saj republikan Donald Trump po vë në pikëpyetje nivelin e saj të energjisë.
“
Koha në shtëpi më ndihmoi për të reflektuar
”, deklaroi Hillary Clinton, pasi iu rikthye fushatës me rekomandimin e mjekut se ajo është e aftë për ta përballuar dhe pse jo për të qenë në krye të Shtëpisë së Bardhë.
“
Më jepni mundësinë të jem presidentja juaj
”, tha Clinton nga mitingu i saj në Karolinën e Veriut.
Të dy kandidatët janë ndër më të vjetrit që kanë garuar ndonjëherë për Shtëpinë e Bardhë. Nëse president do të zgjidhej Donald Trumpi 70-vjeçar, atëherë ai do të ishte politikani më i moshuar që ulet në zyrën ovale.
Sëmundja e Clinton u bë publike kur ajo u largua nga shërbimi përkujtimor për 11 shtator në Nju Jork dhe u shfaq në një video, gati duke u rrëzuar kur do hipte në makinë. Ky episod shkaktoi pyetje për shëndetin e Clinton dhe rivali i saj republikan Trump rifilloi sulmet për këtë temë, ndërkohë që ai shpesh ka shprehur dyshime që Clinton ka energjinë e mjaftueshme për të shërbyer si komandante e përgjithshme.
Por nga ana tjetër, vëmendja tek gjendja shëndetësore e Clinton, ngriti pyetje edhe për vetë shëndetin e Trump dhe intensifikoi pyetjet për informacionin e tij shëndetësor. /tvklan.al