Rikthehet debati për cënimin e privatësisë
Rikthehet në skenë debati mbi çështjen e sigurisë së shumicës për të cilën duhet apo jo të sakrifikohet privacia. Amber Rudd, Sekretarja e Shtetit në Britaninë e Madhe dhe kreu i Europol Rob Wainwright janë zërat e parë pro kontrollit të plotë të lirisë individuale në emër të luftës kundër terrorizmit.
Thirrja e dy zyrtareve i referohet kontrollit që autoritetet, sipas tyre, duhet të kenë mbi mjetet e komunikimit që përdoren nga terroristët për koordinim sulmesh.
Rudd merr shkas nga mesazhi i fundit në WhatsApp që u gjet në telefonin e autorit të ngjarjes së Londrës, ku mbetën të vrarë 4 persona. Autoritetet britanike, si rrjedhojë e mesazheve në kod që ofron WhatsApp nuk arritën të gjenin marrësin e mesazhit të fundit të sulmuesit.
E ngjashme me sulmet në Maratonën e Bostonit, ku çështja e sigurisë kundër privacisë u përball me një betejë ligjore, Sekretarja e Shtetit në Britani ka akuzuar kompanitë WhasApp dhe Facebook se me privacinë që ofrojnë për përdoruesit e tyre, i kanë dhënë një vend për t’u fshehur edhe terroristëve.
Nga ana tjetër, WhatsApp mbron politikat e saj për kodifikim të mesazheve duke argumentuar se ruan privatësinë e miliarda përdoruesve dhe besimi është një nga shtyllat thelbësore të kompanisë.
Drejtori i Europolit, Rob Wainwright deklaroi se diçka duhet bërë për të siguar akses në komunikimet online.
Kjo nuk është hera e parë që kompania WhatsApp përballet me një histori të tillë.
Aplikacioni telefonik u bllokua tre herë nga autoritetet braziliane në vitin 2016, pasi nuk dorëzuan informacion në lidhje me një hetim penal.
Tv Klan