Rikthehet jeta normale


Rikthehet jeta normale

12:00 04/05/2020

Në Itali dhe Greqi hapen bizneset dhe shërbimet publike

Pas më shumë se dy muajsh, Italia sot po merr frymë lirisht. Aktualisht në vend ka nisur lehtësimi i masave dhe njerëzit tanimë mund të lëvizin lirisht, por gjithnjë duke ruajtur distancën prej 1 metër.

Kryeministri Conte përmes një postimi në Facebook i bëri thirrje italianëve që të tregohen të matur dhe të kenë përgjegjësi në këtë fazë të dytë. Ai theksoi se duhet të zbatohen të gjithë rregullat për të shmangur një valë të dytë epidemie.

Conte është shprehur se nëse gjithçka shkon keq, Italia sërish do të hyjë në karantinë dhe do të gjobisë të gjithë ata që do të rrezikojnë jetën e tjetrit.

Në bazë të dekretit të ri, duke filluar nga sot, qytetarët mund të lëvizin nëpër parqe dhe vetëm 60% e qytetarëve do t’i rikthehen punës. Po ashtu do të lejohen vizitat tek të afërmit, por duke ruajtur distancën dhe duke mbajtur maska mbrojtëse.

Parukeritë, berberët, si dhe të gjitha aktivitetet e prodhimit do të nisin sot punë. Në qendrat estetike do të lejohet hyrja e vetëm një klienti gjithmonë duke përdorur maska, doreza si dhe duke dezinfektuar duart.

Në autobusë, metro dhe trena do të udhëtohet duke lënë një vend bosh ndërmjet pasagjerëve. Nga data 18 Maj do të rihapen dyqanet dhe muzetë, kurse baret dhe restorantet do duhet të presin deri më 1 Qershor. Plazhet do të hapen nën masa të rrepta sigurie, duke vendosur çadrat dhe ulëset në distancën prej 2 metrash.

Italianët do lejohet të lëvizin brenda rajoneve dhe jo jashtë tyre, përveçse për arsye pune apo arsye shëndetësore të aprovuara nga autoritetet. Ndërkaq tubimet dhe çdo lloj aktiviteti tjetër që parashikon grumbullimin e më shumë se 50 personave do të vijojë të jetë e ndaluar deri në një urdhër të dytë.

Të njëjtit fat sot i gëzohet edhe Greqia. Disa dyqane me pakicë, përfshirë librari dhe parukeritë, do të rihapen. Gjithashtu qytetarët nuk do të kenë më nevojë të dërgojnë një SMS ose të mbajnë një dokument që tregon se kanë leje për të dalë nga shtëpia.

Kafenetë dhe restorantet do të rihapen nga 1 Qershori, por në ambiente të hapura. Nga 15 Qershori pritet funksionim i plotë i bizneseve, nëse të dhënat e infektimeve dhe vdekjeve vijojnë të ulen.

Italia aktualisht numëron 210 mijë të infektuar dhe afro 29 mijë vdekje, ndërsa Greqia ka një trend ulës pasi ka vetëm 144 të vdekur dhe 2600 të infektuar.

Klan Plus






Të ngjashme