Rikthehet mesatarja për universitetet, studimet e larta për ata me mesataren mbi 6
Maturantët duhet të kenë minimalja 6, mesataren e 3 viteve të shkollimit dhe provimeve të maturës, që të mund të ndjekin studimet e larta.
Pas përcaktimit në Ligjin e ri të Arsimit të Lartë, që futja në universitet të bëhet me anë të mesatares dhe jo më me sistemin meritë preferencë, qeveria ka përcaktuar notën 6 si prag për t’u regjistruar në universitet.
Vendimi i qeverisë sanksionon se të gjithë maturantet, që kanë mesatare më të vogël se 6 nuk do të mund të ndjekin asnjë fakultet publik apo privat, por atyre do t’u jepet mundësia e ndjekjes së programeve 2 – vjeçare me karakter profesional, që janë të përjashtuara nga kriteri i mesatares.
Përllogaritja e mesatares do të jetë aritmetike e thjeshtë për të gjitha vitet e shkollimit, plus mesatarja e thjeshtë e notave të provimeve të maturës shtetërore.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, përllogaritja e notës mesatare dhe përcjellja e të dhënave pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve do të bëhet nga shkollat dhe drejtoritë arsimore vendore.
Tv Klan