Rikthehet “Në kurthin e Piter Pan” (Video)
Ka nisur këtë të hënë në ekranin e Televizionit Klan, sezoni i dytë i spektaklit “Në kurthin e Piter Pan”. Një produksion, i cili sezonin e shkuar pati një impakt tejet pozitiv tek publiku, që siç u shpreh edhe vetë prezantuesja Alketa Vejsiu, i ka dhënë fëmijëve një mundësi më shumë që të kenë një dritare komunikimi.
“Jam shumë e kënaqur që rikthehemi në këtë edicion të dytë të këtij spektakli, i cili ka pasur shikueshmëri vitin e kaluar, komente të mira dhe u ka dhënë një mundësi shumë fëmijëve që të kenë një dritare komunikimi ku fjala e fëmijëve dhe talenti i tyre i çiltër dhe i sinqertë të dëgjohet. Tv Klan ka bërë gjithmonë një punë shumë të mirë me promovimin e talenteve të reja, unë jam e lumtur që çdo të hënë do të rrëfejmë një përrallë, për të cilën edhe ne të rriturit kemi nevojë ta dëgjojmë si muzikë në këtë jetë të ngarkuar dhe frenetike”
, tha Vejsiu në nisje të programit.
“Në kurthin e Piter Pan”
protagonistë janë fëmijët, të cilët me pyetjet e tyre dinë gjithnjë sesi t’i “fusin në kurth” personazhet e famshëm.
Këtë sezon, krah Alketa Vejsiut do të jetë edhe Eno Bimbli, një prej vogëlushëve të edicionit të parë të “Në kurthin e Piter Pan”, që me naivitetin dhe zgjuarsinë e tij, sigurisht që premton mjaft humor.
/tvklan.al