Rikthehet në Shqipëri antika e kokës së Livias, gruas së Perandorit August (1 Nentor 2000)
Koka e Livias, gruas së Perandorit Augusto që daton në cerekun e shekullit para erës sonë, është kthyer përsëri në Shqipëri. E zbuluar në vitet ’30 nga misioni italian në Butrint në të njëjtin vend ku është zbuluar dhe koka e Deas, kjo kokë antike u vodh në amfiteatrin e Butrintit në vitin 1981 dhe doli jashtë kufinjve të Shqipërisë.
Rikthimi i kësaj antike me vlera të mëdha në lashtësinë tonë, u bë e mundur falë kërkimeve të shumta nga zoti Auron Tare, drejtor i qytetit antik të Butrintit i cili me anë të një marrëveshjeje private, arriti t’a kthejë kokën e Livias nga New Yorku.
Zoti Auron Tare thotë: “Kjo është diçka shumë domethënëse sepse kthen vlerat e popullit shqiptar në Shqipëri kur dihet shumë mirë se një numër i madh i tyre janë vjedhur dhe shitur për qëllime përfitimi. Ky është një gjest shumë domethënës.”
Ndërkohë që shumë antika të tjera të vjedhura nga muzeumet tona janë në shumë vende të botës, por nuk mund të kthehen në Shqipëri pasi akoma nuk ka konventa me shtete të tjera për kthimin e statujave./tvklan.al