Rikthimi i Berluskonit në Bruksel


Rikthimi i Berluskonit në Bruksel

20:30 23/01/2018

Dikur e kritikonin për populizëm, ndërsa tani Silvio Berluksoni shihet si shpresa e Brukselit për ta mbrojtur Italinë nga ky fenomen. Politikani 81-vjeçar u rikthye në kryeqendrën europiane, 7 vite pas largimit si kryeministër, këtë herë për të marrë bekimin e zyrtarëve të lartë të unionit, pasi qendra e djathtë e drejtuar prej tij pritet të fitojë zgjedhjet parlamentare të 4 Marsit në Itali. Në takimin me kreun e komisionit europian Junker dhe presidentin e asamblesë së Strasburgut Tajani, Berluskoni i garantoi se do të mbështesë politikat përbashkuese të Bashkimit Europian. 

“Nevojitet që Europa të forcohet dhe të ketë një politikë të jashtme dhe mbrojtje të përbashkët. Kjo do ti kursente miliarda euro dhe do ta shndërronte në një fuqi botërore”.

Berluskoni foli edhe për marrëdhënie të mira me kancelaren gjermane Angela Merkel, të cilën tani e pranon se mund të jetë e plotfuqishmja e Europës. Tregoi se ishte tërhequr nga qëndrimi kundër masave të ashpra të kursimit kur ishte kryeministër, ndërsa premtoi se do të përmbushë të gjitha objektivat e vendosura nga partnerët ndërkomëbtarë për reduktimin e borxhit, deri në 125% të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 134% që është aktualisht. Për kreun e Komisionit Europian Junker, takimi me Berluskonin ishte ekselent. Sondazhet tregojnë se qendra e djathtë italiane ka një mbështetje prej mbi 39%, ndërsa qendra e majtë aktualisht në qeveri, ka rënë në rreth 26%, më poshtë se euroskeptikët e Lëvizjes 5 yjet. Gjithsesi, ai nuk mund të jetë kryeministër pasi atë e pengon një vendim i gjykatës i vitit 2013, për të qëndruar për 6 vite larg posteve publike, i shpallur fajtor për korrupsion.

 Tv Klan

 






Të ngjashme