Rikthimi i Kaçes, De Biasi: Kërkoi falje, Xhaka jo
Në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes me Luksemburgun, pasi ka vlerësuar këtë skuadër, tekniku i kombëtares Gianni De Biasi, tha se ky takim përbën një test për ndeshjen e vërtetë që është ajo me Izraelin.
Tekniku nuk i ka shpëtuar pyetjeve mbi rikthimin e Ergys Kaçes dhe qëndrimin larg të Taulant Xhakës.
“Kaçe më ka dërguar mesazh, më tha që ka kuptuar se ka gabuar, se është gati të kthehet në grup e japë kontributin e tij. Xhaka nuk ka bërë asnjë pranim, mendoj se është nga ana e fajit, se të largohesh nga grumbullimi dhe të lësh shokët është një nga gjërat që do të ishte më mirë të evitohen. Mbetet në pozicionin e tij, është shmangur vetë. U largua dhe do të mbetet larg derisa të mos bëjë hapa të ndryshëm.”
Tekniku italian do të kërkojë të kuptojë nga ndeshja me Luksemburgun se cilët lojtarë janë në formën më të mirë, pasi ndaj Izraelit ai kërkon të fitojë edhe në shenjë hakmarrjeje ndaj takimit të parë në nëntorin e shkuar, ku Shqipëria humbi në Elbasan.
/Tv Klan