RiRi i kushton Snapchat miliona dollarë
Snapchat sërish ka humbur miliona dollarë, kjo pas kritikës së Rihannës. Ylli i muzikës u ka kërkuar fansave të saj të fshijnë këtë aplikacion për shkak të një reklame ofenduese për këngëtaren.
Snapchat kishte krijuar një foto ku shfaqeshin Rihanna dhe Chris Brown, duke sjellë në vëmendje dhunën që ai kishte ushtruar mbi këngëtaren në vitin 2009. Postimi ftonte fansat të votonin nëse do të zgjidhnin të godisnin me shuplakë Rihannën apo të grushtonin Chris Brown.
Rihanna ka reaguar në Instagram duke thënë se kjo e ka lënduar dhe ka të bëjë me ndjenjat e saj personale, si dhe kjo zhgënjen mijëra gra, fëmijë e burra që kanë qenë viktima të dhunës në të kaluarën.
Snapchat është përballur me rënie me katër përqind të vlerës në bursë pas këtij postimi. CNN shkruan se aplikacioni ka humbur 800 milionë dollarë.
Ndërkohë, ekipi i Snapchat ka kërkuar falje dhe ka njoftuar se një gjest i tillë nuk do të përsëritet. Vetëm pak kohë më parë largimi i blogeres Kylie Jenner nga Snapchat i ka kushtuar 1.3 miliardë dollarë.
Klan Plus