Ristrukturim për kreditorët e këqinj
Në kohën që kreditë e këqija kanë rënë kryesisht për shkak të pastrimit të bilanceve të bankave, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një nisëm për të hartuar një rregullore të re e për të ristrukturuar kreditë e këqija.
Synimi kryesor është që një pjesë 35 kreditorëve të mëdhenj, që kanë më shumë se gjysmën e kredive të këqija të ristrukturohen dhe të shpëtojnë nga falimenti. Nisma do të quhet “Tirana Approach”, Metoda e Tiranës, dhe do të detyrojë bankat të bashkëpunojnë me njëra – tjetrën për të ristrukturuar kredinë, në rastin që konsumatori apo biznesi merr hua në më shumë se 1 bankë.
“Përpara se të shkojmë drejt falimentit ne duhet të ezaurojmë përpjekjet më të mira të mundshme të të gjitha bankave huadhënëse se ç’mundësi ka të ristrukturohet dhe të bëhet pozitiv kompania dhe njëra nga bankat do të luajnë rolin kryesor”, Spiro Brumbulli, sekretar i Përgjithshëm, Shoqata e Bankave.
Burime nga banka qendrore bëjnë me dije se do të përdoren të dyja format për të bindur bankat që të bashkëpunojnë: lehtësi për ato që përfshihen dhe penalitete për bankat që nuk kontribuojnë në këtë nisëm. Niveli i kredive të këqija ka arritur në 13.5%, një përgjysmim krahasuar me një vit më parë, por sërish mbetet i lartë. Tashmë sfida e bankave mbetet shitja e aseteve që kanë marrë në pronësi në formën e pasurive të patundshme.
Tv Klan