Rohani: Kemi nisur pasurimin e uraniumit


Rohani: Kemi nisur pasurimin e uraniumit

17:20 16/01/2020

“Shtetet europiane, të shitura të SHBA”

Nivelet me të cilat Irani ka nisur të pasurojë uraniumin janë shumë herë më të larta se ato para marrëveshjes së 2015-s, madje më të lartat në histori. Këtë e pohoi vetë Presidenti i Iranit, Hasan Rohani, sipas të cilit vendi i tij është i detyruar të veprojë kështu.

“Presioni ndaj Iranit është rritur, por ne do të ecim përpara. Irani u detyrua të heqë kufizimet për energjinë bërthamore dhe tashmë jemi në pozita më të mira në këtë fushë”.

Zyrtarët e Republikës Islamike thanë se niveli i pasurimit të uraniumit është rritur në 4.5%, 0.8% më shumë se kufiri maksimal i lejuar nga marrëveshja e 2015-s me fuqitë e mëdha. Megjithatë, për prodhimin e armëve bërthamore nevojitet që uraniumi të pasurohet në nivelin 90%.

Presidenti iranian akuzoi Britaninë, Francën dhe Gjermaninë  se janë të shitura tek Shtetet e Bashkuara. Këtë javë, 3 vendet europiane firmëtare të marrëveshjes ashpërsuan qëndrimin ndaj Iranit, pas vendimit të Republikës Islamike për të kapërcyer kufirin e pasurimit të uraniumit.

Irani vendosi të tërhiqet gradualisht nga pikat e marrëveshjes së 2015-s pas tërheqjes së plotë të Shteteve të Bashkuara, ndërsa refuzoi propozimin amerikan për një marrëveshje të re bërthamore.

Tv Klan






Të ngjashme