Roma ekipi anti-Juve?
Logjika në futboll nuk mbështet gjithnjë atë që e përdor. Nëse pas fitores me Milanin, Roma mund të konsiderohet ekipi anti-juventus statistikat janë kundër skuadrës së Spalettit.
Përballja mes tyre të shtunën do të konfirmojë gjithçka, por deri atëherë numrat nuk janë në favor të Romës. Në shtëpinë e vet Juventus nuk ka asnjë humbje: tetë ndeshje, tetë fitore, ndërsa Roma ka fituar vetëm tre sfida në transfertë duke humbur tre herë dhe duke marrë dy barazime. Ka edhe një ngërç tjetër. Si trajner Luciano Spaletti nuk e ka mundur asnjëherë Juventusin në kampionat. 21 ndeshje dhe ka fituar me bardhezinjtë vetëm një herë, 10 vjet më parë në Klupën e Italisë, më pas ka marrë 17 humbje dhe vetëm 3 barazime. Një bilanc për të ardhur keq që nis në kohën kur drejtonte Empolin, më pas Sampdorian, Venezian, Udinezen dhe Romën.
Në këtë garë kundër kryequeses së kampionatit është edhe Milan që një natë më parë ishte shumë pranë fitores, po të mos kish gabuar Niang me 11-metërsh. Edhe Napoli është mundur nga Roma, duket se e ka kaluar periudhën më të errët të sezonit me dëmtime në të gjithë repartet.
Por gjithsesi asnjë prej këtyre skuadrave deri tani nuk është në nivelin duhur për të rivalizuar Juventusin. Pritet e shtuna në mbrëmje që rivalja e Juventusit të dalë nga mjegulla e hamendësimeve.
Tv Klan