Ronaldinho, asiste dhe gola nga burgu


Ronaldinho, asiste dhe gola nga burgu

10:10 15/03/2020

Mosha ikën, por klasi mbetet kudo që ai ndodhet. Ronaldinho ka rinisur karrierën si futbollist. Prej 1 jave, braziliani ka përfunduar pas hekurave me akuzën e falsifikimit, megjithatë kjo nuk e ka ndarë me futbollin. Ish-lojtari i Barcelonës dhe Milanit është bashkuar me ekipin e të burgosurve të Asunsio në Paraguai. Ekipi merr pjesë në kampionatin e të burgosurve, titull që Ronaldinho synon ta fitojë për herë të parë.

Edhe pse nuk kishte një palë atlete të përshtatshme për lojë, Dinho u ndihmua nga një oficer i burgut me brazilianin që ia shpërbleu besimin. Madje, 39-vjeçari ishte protagonist absolut që në debutim, duke shënuar 5 dhe dhënë 6 asiste në fitoren 11-2. Fituesi i Topit të Artë në vitin 2005 u bashkua me ekipin e ish-menaxherit të futbollit, Fernando Gonzalez Karjallo.

Gjithashtu, në ekip me brazilianin ishte dhe ish-deputeti, Migel Kuevas, i cili po vuan paraburgimin nën akuzën e pasurimit të paligjshëm dhe deklarimit të rremë. Në mënyrë simbolike, drejtuesit e burgut kanë vënë edhe një çmim për fituesin: një derr prej 16 kilogramësh. 39-vjeçari është pas hekurave në periferi të Asunsion së bashku me vëllain e tij, ndërsa presin fatin e tyre për hyrjen në vend me dokumente të rreme.

Klan Plus






Të ngjashme