Ronaldo do të largohet nga Real
Cristiano Ronaldo do të jetë lëvizja më e bujshme e merkatos së kësaj vere. E përditshmja portugeze “Record” shkruan se Presidenti i klubit spanjoll Florentino Perez ka thyer premtimin e bërë yllit të ekipit.
Sipas gazetës, Ronaldo nuk është i lumtur me kontratën e re që i është ofruar dhe ndjehet i nënvlerësuar nga gjigandët e kampionatit spanjoll. Premtimi i presidentit ishte se ai do të bëhej futbollisti më i pasur në botë pas finales së Champions 2017, por oferta që do ta kënaqte portugezin ende nuk ka ardhur. Lojtari mund të kthehet tek Manchester United. Opsion tjetër është PSG.
Kjo lëvizje do të kthente Neymar në Spanjë, por në Madrid. Por një surprizë mund të vijë edhe nga italianët e Juventus. Thuhet se Ronaldo është tronditur nga largimi i Zinedine Zidane, ndërsa më herët janë larguar nga klubi edhe disa lojtarë me të cilët ai ka patur edhe miqësi. Record shkruan se menaxheri i Ronaldos, Jorge Mendes, është takuar këtë të martë me menaxherin e përgjithshëm të Real Madrid, José Ángel Sánchez, të cilit i ka thënë se futbollisti ka vendosur të largohet nga klubi.
Tv Klan