Ronaldo pranon evazionin fiskal
Cristiano Ronaldo ka arritur një akord me agjencinë e taksave në Spanjë për të përfunduar procesin gjyqësor të ngritur ndaj tij për evazion fiskal. Sipas mediave spanjolle, ai ka pranuar përpara agjencisë, 4 veprat penale për të cilat akuzohej dhe mund të dënohej me 2 vjet burgim.
Portugezi gjithsesi nuk do të privohet nga liria pasi nuk ka kryer më parë vepra të tjera penale në Spanjë. Gjithsesi pranimi i fajit nga futbollisti shoqërohet me 18.8 milionë euro gjobë.
Për muaj më radhë përfaqësuesit e tij ligjorë negociuan me avokatin e shtetit për të arritur këtë marrëveshje.
Hetuesit e sistemit fiskal në Spanjë nisën punën e tyre duke u bazuar nga të dhënat që dolën nga skandali i Football Leaks. Nga hetimi rezultoi se Ronaldo kishte bërë evazion për 14.7 milionë euro.
Në momentin që futbollisti pranoi fajet e tij dhe kërkoi që dënimi më 2 vite burg të shndërrohej në gjobë agjencia e taksave e rriti vlerën duke e çuar në gati 19 milionë euro.
Më herët edhe Lionel Messi u gjet fajtor për evazion fiskal, por edhe ai e kaloi dënimin me gjobë.
Tv Klan