Rregullat për votime në burgje dhe spitale – (30 Shtator 2000)


Rregullat për votime në burgje dhe spitale – (30 Shtator 2000)

19:53 30/09/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Institucionet që merren me infrastrukturën e zgjedhjeve, kanë përcaktuar procedurat dhe rregullat, jo vetëm për njerëzit e zakonshëm, por edhe për votuesit në burgje, spitale e maternitete. Në këto institucione të veçanta, rregullat nuk ndryshojnë nga ato të qendrave të votimit nëpër lagje. Njësia administrative nr.9 është burgu 313, i cili mban numrin 274 të qendrës së votimit.

Sipas drejtorit të burgut Xhemal Qefalia, këtu çdo gjë është gati. Kjo është dhoma e hapur për qendër votimi, e cila do të presë komisionin e votimit të përbërë nga shtatë subjekte dhe të arrestuarit e burgut 302, e të spitalit të burgut. Afërsisht do të jenë 212 të burgosur, që sipas Kushtetutës iu njihet e drejta për të votuar. I burgosuri do të pajiset me një vërtetim, i cili i njeh të drejtën e votimit. Ky burg do të jetë i hapur për vëzhguesit, median dhe OJQ.

Ndërsa në spitale nuk është ngritur një qendër votimi. Të ardhurve nga rrethet nuk iu njihet kjo e drejtë, pasi dhe regjistrimi i tyre është në vendbanim. Në ndryshim nga spitali, materniteti e ka ngritur një qendër votimi. Është marrë lista e grave që nuk lëvizin dhe nga familjarët iu është sjellë fleta e regjistrimit në mënyrë që vota e tyre të hidhet këtu./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti






Të ngjashme