Rrëmbehet e mitura nga Gjirokastra (12 Qershor 1999)
Mbrëmë vonë rrëmbyesit e vajzës së vogël nga Kakavija kanë folur për herë të dytë me prindërit e vogëlushes 4 vjeçare Sofia Goga. Sofia është e sëmurë me grip dhe kërkon gjithmonë e më shumë të emën, ndaj nëse doni ta keni sa më shpejt vajzën tuaj duhet të siguroni paratë. Kështu i kanë thënë rrëmbyesit të atit të saj që sapo është kthyer nga Greqia. 50 milion dhrahmi është shuma që rrëmbyesit i kanë kërkuar familjes së saj. E grabitur 6 ditë më parë në oborrin e shtëpisë së gjyshërve të saj, vogëlushja ndodhet në duart e tyre.
Policia e Gjirokastrës edhe pse ka deklaruar se e di kush janë rrëmbyesit nuk ka ndërhyrë ende ta lirojë atë. E ëma e pengut që ndodhet në Athinë i ka kërkuar KryePeshkopatës Greke por dhe gjithë opinionit grek të kontribuojë për të mbledhur shumën e madhe që kërkojnë pengmarrësit për lirimin e saj. Një mjegull e plotë ka mbuluar hetimin për gjetjen e pengut tjetër të marrë në Gjirokastër, atë të të riut grek i cili mendohet të ketë pasur konflikte me kolegët e tij vendas./tvklan.al
Gazetar: Eduart Frangaj