Rrëmben dhe kërcënon me thikë 11-vjeçaren


Rrëmben dhe kërcënon me thikë 11-vjeçaren

15:00 15/08/2016

Hyri me thikë në dorë në banesën e komshiut dhe pasi rrëmbeu 11-vjeçaren e mbajti për disa orë në  shtëpinë e tij. Ishte ora 7:00 e mëngjesit, kur Arben Kabashi, 46 vjeç, i dënuar me 20 vite burg në Itali për prostitucion, kapërceu murin rrethues dhe mori me forcë një nga tre vajzat e familjes.

Në atë moment 11-vjeçarja ndodhej sëbashku me dy motrat e saj në banesë. Ishin ato që lajmëruan prindërit, të cilët më pas kërkuan ndihmën e policisë.

Prania e forcave të rendit nuk e bindi 46-vjeçarin të dorëzohej, duke kërcënuar se do të vriste vajzën e mitur.

Pas disa orësh, teksa forcat RENEA po negocionin me Arben Kabashin, të tjerë efektivë hynë nga dritarja e pasme e banesës, aty ku dhe nxorën vajzën, duke e rikthyer në shtëpi.

Nga ekzaminimet e kryera nga mjekësia ligjore dhe verifikimet e bëra nga efektivët e policisë, ka rezultuar se mbi vajzën nuk është ushtruar dhunë fizike apo verbale.

Edhe pas lirimit të vajzës, Forcat Rena mbajtën të rrethuar për disa orë banesën e autorit që refuzonte të dorëzohej. Më pas efektivët e policisë arritën të neutralizojnë dhe kapin 46-vjeçarin që mësohet se vuan nga probleme të depresionit.

46-vjeçari ishte kthyer nga Italia 6 muaj më parë, ku ishte dënuar me 20 vite burg për veprat penale të   pjesëmarrjes në një organizatë kriminale dhe trafikimit të qenjeve njerëzore.

Tv Klan






Të ngjashme