Rrëmbimi i femrave për qëllime prostitucioni (13 Mars 1999)
Femrat bashkëpunojnë në rrëmbimin e femrave. Fenomeni tashmë i njohur i rrëmbimit të vajzave të reja është tashmë shndërruar në një nga problemet kryesore të policisë por dhe familjarëve shqiptarë. Femrat e moshës nga 15 deri në 25 vjeç janë viktima të rrëmbimeve dhe më pas detyrohen t’i futen rrugës së prostitucionit. Specialistët e Policisë kanë vënë re se në krimin e rrëmbimit të vajzave të reja bashkëpunojnë vetë femrat, shoqe të viktimave.
Rasti më i fundit është zbuluar dhe parandaluar nga Policia 24 orë më parë. Një 15 vjeçare nga Tirana është mashtruar nga dy të rinj të cilët synonin t’a dërgonin adoleshenten në Greqi për ushtrim prostitucioni. Por ajo që Policia e quan pikë kulminante në procesin hetimor është zbulimi i një bashkëpunëtoreje në rrëmbim.
Ajo është një 14 vjeçare me mbiemrin Berisha, shoqe e ngushtë e vajzës viktimë. 14 vjeçarja, e cila ndiqet në gjendje të lirë për shkak të moshës së mitur i ka mbushur mendjen shoqes së saj të ndiqte dy të rinjtë që do t’a dërgonin atë në Athinë. Me ndërhyrjen e Policisë dhe arrestimin e të rinjve rrëmbyes ka dështuar rrëmbimi më i fundit i mishit të bardhë./tvklan.al
Gazetar : Eduart Frangaj