Rreth 3300 Ha ende nën ujë në Shkodër dhe Lezhë
Problem sigurimi i ushqimit për familjet e përmbytura
Në 24 orët e fundit, tokave të përmbytura në Shkodër i janë shtuar edhe 10 hektarë të tjerë. Sipas raportimit ditor, aktualisht rezultojnë të përmbytura 1910 Ha, pjesa me e madhe tokë e kultivuar me foragjere të dyta.
Teksa Bashkia Shkodër thotë se është angazhuar për të siguruar ushqimin për familjet në zonat e përmbytura, një banor i Muriqanit ngre shqetësimin se nuk ka marrë bazë ushqimore nga ndihmat që janë shpërndarë. Sipas tij e gjithë vëmendja ka qenë në Obot.
“Këtu është një Muriqan që jeton me këto toka. Vijnë ndihmat shkojnë në Obot, koncentratet ushqimet shkojnë në Obot e në Goricë. As kemi marr pako, as dua makarona asgjë, kam problemin e bagëtive. Kam 10 krerë bagëti”.
Në Lezhë ndonëse shirat kanë vijuar me intensitet të mesëm gjatë natës, niveli i ujit në lumenj, e hidrovore është në rënie. Nën ujë këtë të mërkurë janë 1370 ha tokë bujqësore.
Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit bën me dije se nivelet në lumenjtë Drin dhe Buna do të vazhdojnë të jenë të larta, por me probleme lokale të përmbytjeve.
Tërheqja e ujit sipas IGJEUM pritet që të ndodhë të enjten, ndërsa theksohet se lumi Vjosa përgjatë gjithë ditës së mërkurë do të ketë rënie të ndjeshme.
Tv Klan