Rrezikoi shumë dhe fitoi
Ai ia doli mbanë. Ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz është kryetari i ri i partisë konservatore austriake ÖVP. Para zgjedhjeve, Kurzi i pati vënë partisë shumë kushte, të cilat u pranuan.
Në Austri, kryesia e Partisë konservatore austriake ÖVP e zgjodhi njëzëri Sebastian Kurzin kryetar të ri të partisë. Më parë, ministri i Jashtëm austriak pati paraqitur shtatë kushte, para pranimit të kryesisë së partisë. Në to bën pjesë edhe kërkesa e tij për të kandiduar me një listë të vetën në zgjedhje. Ajo do të quhet “Lista Sebastian Kurz – partia e re popullore”
Veç kësaj ai kishte lënë të kuptohet se do ta merrte postin e ri të shefit, vetëm nëse partia do të mbështeste mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe do t’ia mundësojë atij që të përcaktojë “linjën përmbajtësore” dhe të emërojë personelin.
“Shpresoj që kjo ofertë të pranohet”
Veprimi i parë që do të bëjë 30-vjeçari është që t’i japë fund para kohe koalicionit të socialdemokratëve të SPÖ dhe të ÖVP. Ai synon që vendimi për këtë të merret së bashku me SPÖ-në, tha Kurz. Kohën deri në verë ai do ta përdorë për të vënë në jetë plane të përbashkëta. “Shpresoj shumë që kjo ofertë të pranohet”.
Kurz dëshiron që zgjedhjet e reja të mbahen në fillim të vjeshtës. Për këtë, një shumicë e parlamentit duhet të marrë një vendim përkatës. Data për zgjedhjet e reja të rregullta do të ishte vitin e ardhshëm. Kancelari federal dhe shefi i SPÖ-së, Christian Kern paralajmëroi të dielën edhe njëherë për pasojat e shpërbërjes së koalicionit qeveritar. Me këtë, u shtrohet qilimi i kuq populistëve të FPÖ-së, të cilët kanë mbështetje të madhe në sondazhe, tha 51 vjeçari në televizionin austriak ORF. “Pasojat do të jenë të konsiderueshme”.
Aleanca kuq-e zi e qeveris Austrinë që prej fundit të 2013-ës. Bashkëpunimi i dy partisë popullore u shoqërua me mosmarrëveshje të vazhdueshme dhe me fajësime reciproke. Në këtë kuadër, në janar 2017 kancelari Christian Kern i kërkoi në mënyrë ultimative ÖVP që të bashkëpunojë më mirë dhe e kërcënoi këtë parti nga ana e tij me fundin e koalicionit të përbashkët./DW