Rrezikon shembjen rruga Elbasan-Prrenjas (17 Nëntor 1999)


Rrezikon shembjen rruga Elbasan-Prrenjas (17 Nëntor 1999)

15:23 17/11/1999

Është zhbllokuar në mëngjesin e sotëm rruga nacionale në segmentin Librazhd-Prrenjas e bllokuar dje për shkak të shembjes së një pjese rruge nga vërshimi i ujërave të lumit Shkumbin. Sipas burimeve nga Policia e Qarkullimit Rrugor në Ministrinë e Rendit Publik në këtë segment tani po kalojnë dhe makina me tonazh të rëndë ndonëse me shpejtësi të kufizuar.

Riparimi përgjatë gjithë natës së djeshme i 100 metrave rrugë të dëmtuar u bë nga Ndërmarrja Rruga Ura në bashkëpunim me firmën maqedonase “Mavrogo” e cila po punon në një segment të Korridorit 8. Vendi i shembjes u shënua si dhe vitin e kaluar në fshatin Dragostinë rreth 4 kilometra larg qytetit të Librazhdit. Pamjet u xhiruan nga kamera e TV Klan.

Rrjedhja e lumit Shkumbin ka hapur prej vitesh probleme erozioni. Uji i vrullshëm grryen tabanin e rrugës duke shkaktuar gërryerjen e dheut dhe më pas të vetë asfaltit. Problemi bëhet akoma dhe më serioz në kohën e shirave. Dje rruga u ça deri në thellësi duke rrezikuar kalimtarët e rastit. Një shofer vdiq dje kur ra pikërisht në ujërat e Shkumbinit pasi doli nga rruga bashkë me makinën e tij.

Pas ndërhyrjes së Policisë Rrugore dhe punëtorëve të mirëmbajtjes së rrugës tashmë kalimi në këtë pikë është siguruar por mbart sërisht mjaft pasiguri për të ardhmen./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj






Të ngjashme