Rreziku i emigrantëve shqiptarë në Britani
Listë për punonjësit e huaj në Britaninë e Madhe. Duket si një skenar i pamundur, por në fakt është një propozim i ministres së brendshme Amber Rudd.
Një propozim që ka shkaktuar jo pak polemika, duke lënë në hije temën kryesore të momentit, fjalën e kryeministres Theresa May në përfundim të kongresit vjetor të Partisë Konservatore.
Fjalët e ministres Rudd janë publikuar nga “Times” në Londër që në faqen e parë zgjedh një titull alarmues: Firmat duhet të publikojnë emrat e punonjësve të huaj, një ide që fillimisht ministrja hodhi në kongresin e Konservatorëve.
Sipas saj janë të shumtë punonjësit e huaj në vend dhe madje edhe më shumë janë studentët e huaj. Këta i zënë vendin britanikëve, ka vijuar ajo, dhe për të ndryshuar këtë tendencë nuk mjafton vetëm kufizimi i emigracionit apo dalja e vendit nga Bashkimi Europian.
Rudd këmbëngul se duhet diçka më shumë: të qortohen firmat dhe sipërmarrjet që privilegjojnë të huajt. Në këtë mënyrë ato do të detyrohen të publikojnë listat e punonjësve sipas kombësisë dhe sa prej tyre kanë me kontratë, duke bërë që në firmat të punësojnë në të ardhmen më shumë britanikë./tvklan.al