Rreziku që vjen nga kafshimi i qenit të tërbuar dhe vaksina që duhet bërë (1 Prill 2001)


Rreziku që vjen nga kafshimi i qenit të tërbuar dhe vaksina që duhet bërë (1 Prill 2001)

14:20 01/04/2001

E lehura, agresiviteti, jargët, sytë e skuqura janë simptoma e një qeni të tërbuar ku qeni për herë të parë ka frikë nga uji dhe drita. Vera po vjen dhe rreziku nga kjo sëmundje shtohet pasi dhe numri i qenve endacake është rritur. Alarmi vjen pas 26 vitesh në Shqipëri nga qyteti i Kukësit ku 3 persona janë kafshuar nga qeni i tërbuar. Mjeku veterinar Haxhi Allmuça, thotë:

“Kohët e fundit ka patur një rast tërbimi në rrethin e Kukësit, një qen që mendohet të ketë ardhur nga Kosova ka kafshuar 3 persona dhe kjo është një nga arsyet kryesore që ne duhet të vihemi në gjendje alarmi, qoftë mjekësia veterinare qoftë dhe mjekësia humane.”

Mbartës së sëmundjes së tërbimit janë kafshët mishngrënëse si ujku, dhelpra dhe brejtësit. Qeni infektohet nga kafshimi i tyre dhe njeriu nga kafshimi i qenit.

“Të gjithë personat që kanë kafshë shoqërimi në shtëpi, puna e parë që duhet të bëjnë është vaksinimi i këtyre kafshëve me vaksinën e tërbimit e cila disponohet sot në vendin tonë. Sigurisht që ekzistojnë dhe vaksina për njerëzit, por këto vaksina janë tepër të kushtueshme dhe kanë nevojë të përsëriten disa herë. Vetëm për qëllime profilaktike, kjo vaksinë duhet të përsëritet në 3 seanca.”

Vaksina quhet “antirabie”. Për njerëzit ajo kushton 12 dollarë. Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar OBSH-së doza të kësaj vaksine për mjekët dhe veterinerët që studiojnë në këtë fushë./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti






Të ngjashme