Rrëzimi i avionit të “Egypt Air”, tym në kabinë përpara zhdukjes nga radarët
Detaje të reja dalin në dritë dy ditë pas rrëzimit të avionit Airbus A320 të kompanisë Egypt Air, me 66 persona në bord. Sipas hetuesve francezë, të dhënat tregojnë se në avion ka pasur tym pak çaste para se ai të zhdukej nga radarët.
Zyra franceze e hetimit dhe e analizave, BEA, njoftoi se ishin ndezur sinjalizuesit e tymit në tualetin e avionit. Të dhënat u transmetuan nga 3 kanale të ndryshme dhe tregojnë aktivizimin e 7 sinjaleve të ndryshme, vetëm pak minuta pas zhdukjes së avionit në orën 2:33 të së enjtes, me orën lokale.
Ndërkohë nga një foto e publikuar nga Agjencia Hapësinore Europiane, tregohet një shenjë rreth 2km në vendin ku humbi gjurmët avioni. Mediat e huaja shkruajnë se me gjasë shenja është një rrjedhje karburanti.
Gjithsesi hetuesit francezë nuk nxitojnë të nxjerrin përfundime dhe shprehen se është ende shpejt për të kuptuar shkakun e rrëzimit të Airbusit A320. Me lokalizimin dhe gjetjen e disa mbetjeve, Kërkimet e ushtrisë egjiptiane, greke dhe asaj franceze janë fokusuar në gjetjen e kutisë së zezë, që do të hidhte dritë mbi ngjarjen.
Më herët autoritetet egjiptiane thanë se pista e një sulmi terrorist është më e mundshme se ajo e një defekti teknik. Avioni i kompanisë Egypt Air u nis të mërkurën nga Paris me destinacion Kajron. Në bord gjendeshin 56 pasagjerë dhe 10 pjesëtarë të stafit./ TV KLAN