Rrëzimi i EgyptAir, hetuesit: Në bordin e avionit ka patur një shpërthim 


Rrëzimi i EgyptAir, hetuesit: Në bordin e avionit ka patur një shpërthim 

11:40 24/05/2016

Të dhëna të reja dalin në dritë mbi shkaqet që mund të ketë çuar në tragjedinë ajrore të pak ditëve më parë, ku avioni EgyptAir, fluturimi MS804, i mori jetën 66 pasagjerëve dhe stafit.

Sipas hetuesëve, nga analizimi i trupave të gjetur në vendngjarje, hidhen dyshime të forta se në bordin e avionit ka patur një shpërthim.

Deklarata vjen nga një zyrtar mjekoligjor, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Ai mësohet se është pjesë e grupit të hetuesëve egjiptianë, që po ekzaminojnë trupat e viktimave që ndodhen në një morg në Kairo.

Duke folur për

Associated Press

ai tha se 80 pjesët e trupave të gjetura deri më tani janë kaq të vogla sa është gati e pamundur të gjesh një pjesë të plotë. Kjo sipas zyrtarit çon në konkluzionin e logjikshëm që në bord ka patur një shpërthim.

Deri më tani nuk ka patur asnjë konfirmim mbi shkakun që i mori jetën njerëzve të pafajshëm që udhëtonin me avionin e nisur nga Parisi në drejtim të Kajros.

Mesazhet automatike të dërguara pak minuta përpara se avioni të zhdukej nga radarët, orët e para të mëngjesit të së enjten, sugjerojnë ka patur një defekt me dritaret e kabinës së pilotëve, tym në bord, si dhe probleme me pilotin automatik. /tvklan.al






Të ngjashme