Video/Rripi i sigurimit, policia fushatë sensibilizuese
Me ndryshimet në Kodin Rrugor, sa i përket ashpërsimit të gjobave për vendosjen e rripi të sigurimit, policia thotë se vijon fushatën sensibilizuese në terren.
Në një njoftim zyrtar të Policisë së Shtetit thuhet se në mënyrë të veçantë, Policia Rrugore do vijojë fushatën sensibilizuese deri më datën 10 Shtator, ku do ketë vetëm këshillime dhe pas kësaj date do zbatohen masat administrative që parashikon Kodi Rrugor. Gjatë ditës së sotme, në Elbasan ka vijuar shpërndarja e mijëra fletëpalosjeve, ku u jepen drejtuesve të automjeteve, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë. Policia thotë se kjo fushatë do vijojë në gjithë Shqipërinë. *Kodi Rrugor i ndryshuar parashikon që për mos zbatim të nenit 170, masa administrative varion nga 5.000 deri në 15.000 lekë , si dhe masa plotësuese pezullim i lejes së drejtimit nga 6 muaj deri në një vit.
Paralel me masat sensibilizuese, policia ka vijuar edhe masat ndëshkuese dhe gjatë 24 orëve të fundit janë arritur këto rezultate: Janë vendosur gjithsej 1.514 masa administrative. Duke përdorur Dragerat dhe Radarin, Policia Rrugore ka arrestuar 4 drejtues mjetesh, nga këta 2 të pa pajisur me leje drejtimi dhe 2 drejtues mjeti në gjendje të dehur. Janë pezulluar 18 leje drejtimi, nga këto: 7 për pije alkoolike, 3 për shpejtësi dhe 8 për shkelje semafori e shkelje të tjera të ndryshme. Janë këshilluar 2.435 drejtues mjetesh, për mos vendosje të rripit të sigurimit. Janë vendosur 29 masa për përdorim celulari, 27 masa për mos vendosje të kaskës mbrojtëse, si dhe 220 masa të tjera janë për shpejtësi, parakalim të gabuar, etj. Si dhe janë dërguar në OASH, 18 drejtues mjetesh. Gjithashtu janë këshilluar drejtues të automjeteve për shkelje të lehta të Kodit Rrugor. Edhe gjatë javës në vijim, Policia Rrugore në të gjithë vendin do të vijojë me intensitet punën në dy drejtime; në sensibilizimin e gjithë përdoruesëve të rrugës për respektimin e rregullave të Qarkullimit Rrugor, si dhe në evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor./tvklan.al