Rripi i sigurimit, policia me dorë të hekurt: 718 gjoba
Plot 718 gjoba janë vendosur gjatë ditës së sotme (deri në orën 18:00), për mos vendosje të rripit te sigurimit. Është ky njoftimi zyrtar që ka bërë Policia e Shtetit.
E marta ishte dita e parë e këtij aksioni të nisur, pas numrit të lartë të viktimave nga aksidentet rrugore. Policia thotë se është zbatuar neni 170 i Kodit Rrugor, ku janë përcaktuar masat e reja administrative.
Pjesë e këtyre gjobave janë edhe ato të vendosura për mungesë të pajisjes se fiksimit për fëmijët nën 4 vjeç kur ulen në sediljet e pasme si dhe për fëmijët nën 12 vjeç kur ulen para.
Kodi i ri detyron vendosjen e rripit edhe nga pasagjerët, si në vendin e parë, por edhe në pjesën e pasme të makinës. Në të kundërt gjoba e parashikuar në rast të shkelje është nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë të reja.
Nëse fëmija është nën 4 – vjeç, atëherë duhet të mbahet në sediljen e pasme vetëm me pajisje të posaçme fiksuese, ndërsa ato deri në moshën 12 – vjeç, mund të qëndrojnë në vend të parë, vetëm nëse kanë mbajtësen fiksuese.
Cilido, që nuk përdor rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit, të parashikuara për pasagjerët deri në 12 – vjeç, përveç gjobës merr edhe masa administrative të pezullimit të lejes së drejtimit për një periudhë nga 6 deri në 12 muaj.
Në periudhën 2012, gjoba për mosvënie rripi ishte 250 deri në 1000 lekë, më pas, në 2013 – 2014 gjoba ishte 500 deri në 1500 lekë, ndërsa me ndryshimin e fundit, supergjobat janë 5000 deri në 15000 mijë lekë.
Po ashtu është shtuar edhe masa administrative për pezullimit të lejedrejtimit për një periudhë nga 6 deri në 12 muaj, për mos përdorimin e rripit dhe pajisjes fiksuese për pasagjerët deri në 12 – vjeç./ tvklan.al