Rriten çmimet e karburanteve (6 Qershor 2000)
Që prej disa ditësh çmimet e karburanteve në tregun shqiptar janë rritur. Një litër naftë kushton 75 lekë ndërsa një litër benzinë kushton 115-120 lekë të reja. Sipas specialistëve kjo luhatje çmimesh e cila rëndon në ekonominë shqiptare është më shumë faktor i jashtëm sesa i brendshëm. Kjo rritje çmimesh e cila pritet të stabilizohet pas qershorit, përgjegjësi i sektorit për tregtimin e karburanteve në Ministrinë e Ekonomisë dhe Privatizimit, e sqaron kështu:
“Në tregun ndërkombëtar kohët e fundit janë ndjerë shumë mosrelacionet gjë e cila kontrollohet kryesisht nga politika dhe qëndrimi i vendeve të OPEK-ut. Kohët e fundit para 2-3 javësh vendet e OPEK-ut patën tendencën e një liberalizimi të prodhimit gjë e cila pati influencën e saj në zvogëlimin e rritjes së nisur në tregun e brendshëm të karburanteve, kryesisht në tregun shqiptar. Nisur dhe nga fakti që operatorët shqiptarë dhe operatorët në tregun shqiptar të karburanteve furnizimin e tyre e kanë kryesisht nga Greqia dhe Italia, influenca e ndyshimit të çmimit në këto dy vende është influencë direkte dhe për çmimin e tregut të brendshëm shqiptar.”
Karburantet në Shqipëri vijnë kryesisht nga Greqia dhe Italia. I vetmi që nuk ka patur luhatje në treg ka qenë prodhimi vendas. Ndër statistikat e bëra, Shqipëria në lidhje me të ardhurat ekonomike vjetore, çmimin e karburanteve për litër e ka më të lartë se vendet tjera të Europës. Në vendin tonë importi është në shifra tepër të larta. Derisa OPEK të vendosë një konstant të çmimit, tregtarët shqiptarë mbeten të prekurit e parë./tvklan.al